Prej shtatorit 2013 MAS ka kthyer në traditë matjen e perceptimit të punonjësve arsimorë, nxënësve, prindërve apo aktorëve të tjerë të interesuar në lidhje me nisma të rëndësishme që janë pjese e reformës së arsimit parauniversitar.
Rezultatet e studimit “Perceptimi i mësuesve dhe prindërve mbi cilësinë e reformës së arsimit parauniversitar në Republikën e Shqipërisë” i shërbejnë MAS, institucioneve të varësisë, DAR/ZA-ve, vetë shkollës për të hartuar strategji dhe plane veprimi konkrete për përmirësimin dhe për zhvillimin e mëtejshëm të reformës së arsimit parauniversitar.
Gjetjet e këtij studimi janë bazuar në rezultatet e arritura nga gjithë popullata që mori pjesë në studim rreth, 27561 mësues dhe 18966 prindër.
Rezultatet e mësuesve
- 82,7% pohojnë se kurrikula e re, e bazuar në kompetenca e bën të nxënit më funksional duke i përgatitur nxënësit për të zgjidhur situata të jetës së përditshme.
- 77,3% shprehen se fleksibiliteti në zbatim që krijojnë programet e reja mësimore mundëson përmbushjen e nevojave dhe të interesave të nxënësve.
- 73.1% pohojnë se kurrikula e reformuar e arsimit parauniversitar ka sjellë lehtësim të ngarkesës mësimore të nxënësve.
- 70% deklarojnë se reforma kurrikulare është mbështetur me trajnime dhe materiale burimore për mësuesit e të gjitha lëndëve.
- 74.8% shprehen se identifikimi i personalizuar i nevojave për trajnim i ka ndihmuar në orientimin personal për zhvillim profesional.
- 81.7% pohojnë se si pasojë e reformës në arsimin parauniversitar shkolla është bërë më miqësore dhe gjithëpërfshirëse për të gjithë.
- 84% besojnë se numri i ulët i alternativave të teksteve e ka lehtësuar procesin e përzgjedhjes së tyre.
- 75.89% pohojnë se tekstet e reja mësimore të kurrikulës së re kanë përmirësuar cilësinë e të nxënit dhe të mësimdhënies.
- 71% shprehen se ndryshimet në Maturën Shtetërore (shpallja e pragut kalues, administrimi i mirë dhe mesatarja mbi notën 6) kanë rritur transparencën e procesit dhe kanë siguruar prurje më cilësore për në universitete.
- 80,75% pohojnë se reformat e ndërmarra në drejtim të nismës “Shkolla qendër komunitare” kanë mundësuar partneritet më të mirë shkollë-familje-komunitet.
- 75.6% besojnë se portali i punësimit “Mësues për Shqipërinë” mundëson punësimin e bazuar në meritë e arritje.
- 92,8% deklarojnë se ulja e normës mësimore dhe reduktimi i numrit të nxënësve në klasa lehtëson punën e mësuesit dhe procesin e të nxënit.
- 84.7% shprehen se nxitja e integrimit të TIK-ut në mësimdhënie dhe nxënie ka rritur cilësinë e procesit mësimor.
- 85.9% pohojnë se rikonceptimi i kurrikulës së sporteve ka rritur ndërgjegjësimin e nxënësve për shëndetin, kujdesin për të, si dhe për rolin e sportit.
Rezultatet e prindërve
- 74.1% besojnë se programet e reja mësimore i ofrojnë nxënësve më shumë mundësi për t’i përdorur njohuritë në praktikë.
- 67,5% pohojnë se kurrikula e re u përgjigjet veçorive individuale të të nxënit të çdo fëmije.
- 70% deklarojnë se kurrikula e re mundëson zgjedhjen e karrierës në një moshë më të pjekur.
- 82.6% pohojnë se janë informuar nga mësuesit për reformat e ndërmarra në arsimin parauniversitar.
- 81% shprehen se shkolla ka nxitur bashkëpunimin dhe përfshirjen e prindërve në veprimtaritë e shkollës.
- 79.4% pohojnë se tekstet mësimore u vijnë në ndihmë fëmijëve të tyre në procesin e të nxënit.
- 73,2% pohojnë se infrastruktura shkollore krijon një mjedis të nxëni dhe miqësor për fëmijët.
- 86.3% shprehen se pesha më e madhe që i është dhënë edukimit fizik dhe sporteve i ndihmon fëmijët për zhvillimin e aktivitetit fizik dhe edukimin për një stil jetese të shëndetshëm.